subscribe: Posts | Comments

Kodi i etikës, largim nga puna për mësuesit që ‘rrahin’ nxënësit

0 comments

Dhuna në shkolla, diskriminimi ndaj nxënësve apo përfshirja e mësuesve në praktika korruptive, janë disa nga shkeljet më të rënda që parashikon kodi i ri i etikës dhe që i dënon me largimin e arsimtarëve nga puna. Ministria e Arsimit e ka miratuar dje kodin e ri të etikës për mësuesit e arsimit parauniversitar, i cili parashikon penalizime të ashpra në rast se mësuesit veprojnë në shkelje të ligjit dhe dispozitave ligjore, sanksione këto që shkojnë deri në shkarkimin nga detyra. ”Kur mësuesi shkel kodin e etikës, automatikisht ai largohet nga puna. Zbatimi i tij është tepër i thjeshtë sepse çdo shkollë ka organet drejtuese të saj, ka bordin e shkollës dhe komitetin e prindërve”, thonë specialistët e MASH.
Kodi i etikës
“Komisioni i etikës dhe i sjelljes i propozon drejtuesit të institucionit për shqyrtimet dhe veprime të mëtejshme, në rast kur sjelljet në fjalë konsiderohen shkelje të ligjit apo dispozitave ligjore. Të gjitha masat ndaj mësuesit merren vetëm në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe nga institucionet përkatëse”, thuhet në Kodin e Etikes. Midis të tjerave në kod thuhet se mësuesi duhet të veprojë me përgjegjshmëri ndaj nxënësve, duke respektuar privatësinë e informacioneve të veçanta që ai ka për vetë nxënësin dhe familjen e tij duke mos i keqpëdorur të dhënat pa pëlqimin e tij.
Dhuna në shkolla
Gjithashtu në Kod thuhet qartë se mësuesi ka të drejtë që të marrë pjesë në vendime që kanë të bëjnë me kurrikulën, mësimdhënien dhe vlerësimin, dhe ndan me drejtuesit përgjegjësitë për drejtimin shkollës. Kodi flet edhe për diskriminimin ndërsa thotë se mësuesi duhet të zbatojë parimet e Konventës së të Drejtave të Fëmijëve duke i trajtuar të gjithë nxënësit si të barabartë. Ndërsa sa i përket dhunës mësuesit nuk duhet të lejojnë asnjë formë të ushtrimit të dhunës në shkolla si atë fizike ashtu dhe atë psikologjike.
Mungesa e kodit
Në përgjithësi kodi synon të rregullojë raportet mes mësuesve dhe nxënësve, duke luftuar çdo formë abuzimi nga ana e arsimtarëve me nxënësit. Deri më tani, në sistemin tonë arsimor nuk funksiononte sjellja e mësuesve sipas udhëzimeve të kodit të etikës. Disa herë ishte tentuar të futeshin udhëzime për mënyrën e sjelljes apo të veshjes, por në shumë raste ato janë shkelur dhe nuk janë marrë parasysh.