Infeksionet mykotike, njohja e shkaktarëve dhe mjekimi

hiv

Infeksionet mykotike mund të zhvillohen në zona të ndryshme të trupit të njeriut. Në një intervistë për gazetën “Dita”, mjekia infeksioniste Ilda Xhelili tregon se cilat lloje infeksionesh shfaqen më shpesh, simptomat që i shoqërojnë , si dhe këshillat që duhen ndjekur për të parandaluar sa më herët komplikacionet që rrjedhin prej tyre

Shkaktarët e infeksioneve mykotike janë të shumtë, por ne do të përzgjedhim atë që hasim më shpesh në praktikën tonë të përditshme. Ato që ne po ndeshim gjithnjë e më shpesh janë infeksionet kandidozike, pra ato që shkaktohen nga mikrobe të cilat i përkasin gjinisë “Candida”. Njihen më tepër se 150 specie të ndryshme të “candidës”, por vetëm 10 prej tyre shihen si patogene (të aftë të shkaktojnë sëmundje) të rëndësishëm të njeriut. Të tilla janë “candida albicans” (që është edhe shkaktari kryesor i mykut në organizmin e njeriut), “candida parapsilozis”, si dhe “candida tropicalis”, etj.

 

Pse shkaktohen infeksionet mykotike?

Në fakt, kandidat janë saprofite që do të thotë banorë normalë të sipërfaqes së lëkurës dhe të mukozave. Pra, ato gjenden normalisht dhe papa shkaktuar sëmundje në lëkurë, në traktin tretës (duke filluar nga goja, ezofagu e deri te zorra e trashë), në sputum, organet gjenitale femërore dhe në urinë. “Candida” rritet në një mjedis të thjeshtë dhe kërkon një temperaturë 25-37 gradë C. Specia “Candida” është e përhapur në të gjithë botën dhe normalisht bëhet një bashkëjetues i zakonshëm i njeriut. Por, cilët janë ato kushte dhe ata faktorë të cilët prishin këtë bashkëjetesë dhe bëjnë që “candidat” të shumohen dhe të pushtojnë indet duke shkaktuar kështu infeksionet mykotike të “candidave”.  Megjithëse shumica comprehensive e infeksioneve candidozike janë me origjinë endogjene (të brendshme), transmetimi nga njeriu te njeriu është i mundur. Faktorët lokalë dhe sistemikë (të përgjithshëm) mund të çojnë në pushtimin e indeve nga “candida”. Rezistenca e lëkurës është e rëndësishme në rezistencën ndaj “candidës”, prandaj çdo proces që shkakton macerimin e lëkurës, e lë vendin e dëmtuar të zhveshur ndaj sulmit të “candidës” edhe në persona të shëndoshë. Pasi shtami kalon dermën (shtresën e parë të lëkurës) hyn në qarkullimin e gjakut, ku edhe fillon reagimi i mekanizmave mbrojtës të organizmit. Mbrojtja imunitare siguron neutralizimin e “candidave”, por kur kjo mbrojtje ulet apo dobësohet, atëherë fillon një shtim apo pushtim (invadim) i “candidave”. Kjo ndodh për shembull në rastin e të sëmurëve me dëmtime të mbrojtjes imunitare, në të sëmurët që vuajnë nga diabeti, në të sëmurët me AIDS. Gjithashtu, përdorimi i gjerë i antibiotikëve dhe kortizonikëve, dëmtimet e mukozës nga instrumentet dhe nga kateterët, kanë bërë që të rritet mjaft rreziku i infeksioneve invazive nga “candidat”. Faktorë të tjerë që predispozojnë infeksionet kandidozike janë gjithashtu përdorimi i drogës, protezat e ndryshme, djegiet e gjera, etj.

 

Cila është shfaqja klinike e këtyre infeksioneve?

Infeksionet candidozike mund të zhvillohen në zona të ndryshme të trupit të njeriut. Ndër vendndodhjet më të shpeshta mund të përmendim: “Candidozën” e gojës e cila, paraqitet si një pllakë e qartë e bardhë e ngjitur në mukozën e gojës dhe të faringut. Këto janë të padhembshme, por kur çahen këndet e gojës mund të shkaktojnë dhimbje. Të sëmurët ankohen për një shije të keqe e të vazhdueshme të gojës. Kandidoza e gojës ndodh edhe në njerëz normalë, papa defiçit të imunitetit, sidomos te ata që kanë vënë proteza dhëmbësh. Kjo gjë ndodh më shpesh te të moshuarit, veçanërisht te ata që përdorin antibiotikë dhe kortizonikë. Këto lloj kandidozash shihen më tepër te të sëmurët që vuajnë nga diabeti, sëmundjet malinje, ata me AIDS, te njerëzit e dobët e papa rezistencë. Ndërsa kur infeksioni zbret më poshtë, në ezofag, pacientët ankojnë për vështirësi në gëlltitjen e ushqimeve dhe dhimbje sternale (dhimbje të gjoksit).

 

Si bëhet mjekimi i këtyre rasteve?

Në këtë rast diagnoza vendoset me anë të ekzaminimit endoskopik. Mjekimi i këtyre rasteve bëhet me antimykotikë të përgjithshëm, si edhe me pomada të posaçme antimykotike për lyerjen e gojës. Theksojmë se një shpëlarës mjaft efikas për gojën është bikarbonati i sodiumit (shpëlarja me sodë buke të tretur në ujë).

 

Në çfarë formash të tjera shfaqen këto infeksione mykotike?

Tjetër manifestim klinik janë infeksionet e lëkurës. Zakonisht “candidat” zhvillohen në zonat e ngrohta dhe me lagështirë të lëkurës, si për shembull në sqetull, në rrëzë të kofshës, ndërmjet të ndenjurave, te femrat poshtë gjoksit, midis gishtave të duarve, por sidomos midis gishtave të këmbëve. Kjo e fundit është mjaft e përhapur te ata që mbajnë këpucë të mbyllura përgjatë gjithë ditës e sidomos atlete (njihet ndryshe edhe me emrin këmba e atletit). Kjo lloj kandidoze klinikisht paraqitet si një zonë e kuqe, e maceruar dhe me prurit (kruajtje) të shprehur. “Candidat” mund të zhvillohen edhe në thonj, sidomos te personat që i mbajnë duart gjatë në ujë, kur përdorin doreza gome për një kohë të gjatë e në mënyrë të veçantë kur janë diabetikë. Infeksionet mykotike të lëkurës e sidomos ato të thonjve, kane nevojë për mjekime të zgjatura sistemike dhe lokale me antimykotikë.

 

Të shpeshta edhe infeksionet vaginale

Shumë të shpeshta janë edhe candidozat vaginale të cilat karakterizohen nga një prurit i shprehur (kruajtje), sekrecione me ngjyrë të verdhë në gri dhe me erë të keqe. Në këto raste gjatë ekzaminimeve vihet re një PH mjaft acid, i cili është mjaft i domosdoshëm për zhvillimin e candidozave. Në këto raste, theksojmë se është i domosdoshëm edhe mjekimi i partnerit. Deri tani theksuam se candidoza ka më tepër karakter lokal por, në rrethana të posaçme ajo mund të marrë karakter të përgjithshëm apo dhe të bëhet kronike duke kaluar më pas në forma më të rënduara. Faktorët predispozues mund të gjenden në pacientët me anemi, në të sëmurët pas operacioneve dhe me shërim të ngadalshëm, në djegiet e gjera, në pacientët që kanë kryer transplante, në fëmijët e lindur nën peshë, në pacientët që përdorin për periudha të zgjatura antibiotikë me spektër të gjerë veprimi, në të sëmurët me AIDS, me sëmundje malinje apo ata që mjekohen gjatë me kortizonikë. Në të gjitha këto raste mund të krijohen kushte për zhvillimin e gjeneralizuar të candidave. Në këto raste pacientët ankojnë për një dobësi të përgjithshme, lodhje, ethe dhe hipotension. Këto raste mund të kenë dhe ecuri jo të mirë.

 

Parandalimi

Në radhë të parë duhet të kemi një ushqyerje të mirë, të rregullt e të shumëllojshme për të siguruar një imunitet të mirë e të qëndrueshëm të organizmit. Gjithashtu është e rëndësishme të kemi në kontroll të vazhdueshëm sëmundjet kronike nga të cilat vuajmë pasi ato ndikojnë në imunitetin e organizmit. Nuk duhet abuzuar me antibiotikët dhe kortizonikët. Kujdes duhet treguar edhe nga lagështia sepse favorizon infeksionet mykotike, si edhe higjiena e lartë personale është mjaft e rëndësishme.